Raporti | Suhareka 1:2 Gjilani - SC GJILANI

Raporti | Suhareka 1:2 Gjilani

Ekipi ka marrë një fitore me shumë vlera në udhëtim te Suhareka (2:1), duke dëshmuar formën e mirë që po kalon në stinorin pranveror në kampionat.

Fitorja e tretë në katër ndeshjet e para të stinorit pranveror është sinjal që ekipi po kalon në një formë të mirë, derisa ka realizuar pesë gola, për të pranuar vetëm dy të tillë.

Ndeshjen në Suharekë ekipi e nisi në kërkim të golit, duke tentuar vazhdimisht drejt portës së vendasve. Rastin më të mirë e pati Senad Jarovic, i cili pasi u asistua me kokë nga Oltion Bilalli, gjuajti fuqishëm nga jashtë zonës, por e dërgoi topin vetëm mbi traversë. Ndodhi kjo në minutën e 18-të të ndeshjes.

Dy minuta më pas ishte për t’u veçuar pritja e ‘gardianit’ Kenan Haxhihamza, i cili e ndali goditjen e sulmuesit vendas Liridon Fetahaj.

‘Binomi’ Bilalli-Jarovic erdhi në shprehje në minutën e 42-të të ndeshjes. Teksa sulmuesi anësor Bilalli mori një faull brenda zonës pas ndërhyrjes së portierit Ahmet Ozdogan, ishte Jarovic ai që e drejtoi topin drejt rrjetës nga pika e bardhë (0-1).

Megjithatë, ekipi pësoi një ‘shok’ derisa në minutën e fundit të pjesës së parë pranoi gol. Ishte Endrit Krasniqi, ai i cili me një gjuajtje të saktë brenda zonës e barazoi rezultatin (1-1).

Me shifra të barabarta u mbyllën 45 minutat e para të ndeshjes, ndërkohë që fraksioni i dytë ishte nje kopje e të parit, me ekipin “kuqebardh” që dominoi ndeshjen dhe krijoi mundësi të shumta për të shënuar.

Goli erdhi në minutën e 54-të të ndeshjes, derisa Edi Basa me një gjuajtje të saktë nga jashtë zonës, arriti ta dërgonte topin për herë të dytë në këtë takim pas portës së Ozdogan (1-2).

Pavarësisht goli, ekipi nuk u zmbras, derisa krijoi edhe raste të tjera për shënim, por më së afërti ishte Armend Thaqi, i cili në minutën e 73-të të ndeshjes gjuajti për mrekulli, por këtë herë Ozdogan shpëtoi gol të sigurtë.

‘Gardiani’ vendas e shpëtoi ekipin e tij pa pranuar gol edhe në minutën e 87-të, derisa priti me shumë mund gjuajtjen e dërguar me kokë nga sulmuesi Oltion Bilalli.

Minutat e fundit të ndeshjes nuk kishin shumë histori, me ekipin që merr fitoren e tetë sezonale dhe afrohet edhe më shumë me vendet e para në klasifikim.

 


Suhareka 1-2 Gjilani
Golashënues: Senad Jarovic (pen.) 42′ & Edi Basa 54′
Të ndëshkuar: Oltion Bilalli, Yll Ibrahimi, Kushtrim Shabani
Gjyqtarë: Gramos Shala, Granit Hyseni, Pashtrik Burrniku, Kujtim Krasniqi, Dardan Çaka (Var), Fatlum Berisha (aVar)
Stadiumi i qytetit në Suharekë

Përbërja: Haxhihamza, Thaqi (C), Arago, Roganovic, Ibrahimi, Taipi (86′ Ramadani), Shabani, Bilalli, Prapashtica (81′ Bilali), Basa (81′ Kqiku), Jarovic. Kryetrajner: Ardian Nuhiu