Sport Club Gjilani pjesë e Asamblesë së 33-të të EFC në Kopenhagë - SC GJILANI

Sport Club Gjilani pjesë e Asamblesë së 33-të të EFC në Kopenhagë

Sport Club Gjilani po merr pjesë në Asamblenë e 32-të të Përgjithshme të European Football Clubs (EFC), që po zhvillohet në Kopenhagë të Danimarkës, në një ngjarje që mbledh së bashku përfaqësues të klubeve të futbollit nga e gjithë Evropa.

Klubi ynë në këtë ngjarje po përfaqësohet nga Menaxheri i Përgjithshëm, Drilon Sylejmani, i cili po merr pjesë në punimet e Asamblesë dhe në takimet e zhvilluara në kuadër të këtij organizimi.

Në agjendën e asamblesë priten të trajtohen tema të rëndësishme për zhvillimin dhe të ardhmen e klubeve, përfshirë zhvillimin e stadiumeve dhe infrastrukturës, përdorimin e të dhënave në performancën sportive, transformimin digjital dhe krijimin e të hyrave të qëndrueshme, si dhe çështje që lidhen me qeverisjen dhe menaxhimin modern të klubeve.

Një pjesë e veçantë e programit i është kushtuar edhe sistemit të ri të transferimeve, si dhe zhvillimeve në UEFA Europa League dhe UEFA Conference League, duke ofruar njohuri dhe praktika që mund të jenë të vlefshme edhe për zhvillimin e mëtejshëm të klubit tonë.

Pjesëmarrja në aktivitete të tilla ndërkombëtare është pjesë e vizionit të SC Gjilanit për një klub gjithnjë e më të profesionalizuar, të strukturuar dhe të lidhur me zhvillimet e futbollit evropian. Përmes përfaqësimit institucional, klubi synon të zgjerojë rrjetin e bashkëpunimeve dhe të krijojë mundësi të reja për të ardhmen e tij.

Zyra për komunikim,
29 Shtator, 2026

App logo